Për Shpërndarje të Menjëhershme
SHQIPËRI - Sot, Zëvendësambasadori, Henry Jardine, dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, bënë një vizitë në mjediset e "Strehës", në kuadrin e hapjes zyrtare të kësaj strehe emergjente për mbështetjen e individëve LGBT. Me ekspozimin gjithnjë e më të madh në Shqipëri të çështjeve LGBT dhe me rritjen e numrit të individëve LGBT që kanë vendosur kontakte me njëri-tjetrin dhe kanë formuar komunitete të vogla, është rritur dhe numri i personave LGBT që zbulojnë orientimin seksual ose identitetin gjinor para familjeve e miqve të tyre. Kjo ka bërë që personat LGBT, veçanërisht ata që janë në moshë të re dhe ata që ende varen financiarisht nga familjet e tyre, të ndodhen para rrezikut të dhunës fizike, të dhunës psikologjike dhe të të qenit i/e pastrehë, për shkak të dëbimit nga shtëpia. Në rrethana të tilla, individët LGBT bëhen edhe më të prekshëm ndaj dhunës dhe abuzimit, dhe përballen shpesh me shfrytëzim seksual.
Përveç financimit dhe mbështetjes së USAID-it, streha mbështetet edhe nga Albert Kennedy Trust, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, si dhe nga Agjencia shqiptare për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSCH). Kjo strehë do të menaxhohet nga Aleanca LGBT dhe ProLGBT.
Individët e pranuar në strehë nuk do të lejohet të qëndrojnë për më shumë se 6 muaj dhe do të duhet të punojnë me psikologun dhe me punonjësin social të strehës, si dhe të marrin pjesë në kurse trajnimi për punësim dhe në mundësi arsimore. Qëllimi përfundimtar i Strehës është kthimi i të strehuarve, në mënyrë të sigurt dhe të përhershme, në shtëpitë apo në komunitetet e tyre.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.