Për Shpërndarje të Menjëhershme
Ndihmës Administratori i USAID-it për Europën dhe Euro-Azinë, Z. Thomas O. Melia, në fjalën e tij në ceremoninë e prezantimit të Projektit të USAID-it Drejtësi për të Gjithë, nënvizoi angazhimin e plotë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe kthimin e besimit të qytetarëve tek gjyqësori. Fjalën në ceremoni e mori edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Z. Xhezair Zaganjori. Pjesëmarrës në aktivitet ishin dhe përfaqësues të lartë të sektorit të drejtësisë, duke përfshirë ndër të tjerë Kryetarët e Gjykatave të Apelit, Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave Administrative, të cilët do të jenë të gjithë aktorë të rëndësishëm në këtë projekt të ri.
Projekti pesëvjeçar (2016-2021) i USAID-it Drejtësi për të Gjithë i financuar me 9 milion dollarë amerikanë, është një projekt që do t’i vijë në ndihmë drejtuesve të gjyqësorit për të përmirësuar punën e gjykatave në Shqipëri, duke prezantuar standarde gjyqësore gjithëpërfshirëse për efektshmërinë, transparencën, aksesin dhe llogaridhënien. USAID-i do t’i ofrojë mbështetje edhe organizatave të shoqërisë civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e reformës në drejtësi dhe si mbikëqyrës të zbatimit të reformave.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Ndihmës Administratori i USAID-it Z. Melia i bëri thirrje liderëve shqiptar të vijojnë me miratimin e reformës në drejtësi, duke i quajtur ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të propozuara si “jetike jo vetëm për një sistem të rregullt gjyqësor, por dhe për një demokraci funksionale. Tani është momenti i duhur. Vonesat dëmtojnë integrimin e Shqipërisë në BE dhe zhvillimin e vendit.” Ai e quajti shoqërinë civile dhe median si shumë të rëndësishme për çdo proces reformash për të fituar legjitimitetin e publikut dhe qëndrueshmëri.
USAID-i ka mbi 15 vjet që ofron mbështetje për sektorin e drejtësisë në Shqipëri përmes programeve të përqendruara tek gjyqësori, fakulteti publik i drejtësisë, dhoma e avokatisë, administrimi i gjykatave, media dhe organizatat e shoqërisë civile. Projekti i USAID-it Drejtësi për të Gjithë do të zbatohet nga East-West Management Institute, Kontraktuesi i USAID-it, i përfaqësuar nga Drejtore e Projektit Znj. Anne Trice.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.