USAID Njofton Fillimin e Programit 8.8 milionë dollarësh për të Mbështetur Gjykatat Shqiptare

Për Shpërndarje të Menjëhershme

E premte, mars 11, 2016

Sot, Zyra në Shqipëri e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikes për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi planet për të filluar një projekt të ri 5-vjeçar, në vlerën 8.8 milionë dollarë, për të përmirësuar performancën e gjykatave në Shqipëri. Aktualisht, Qeveria e Shqipërisë dhe Parlamenti janë të angazhuar në reformat legjislative për sektorin e drejtësisë, për të përmirësuar pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit. Teksa qeveria dhe parlamenti janë të angazhuar në reformat legjislative, vetë gjyqësori ka shumë për të bërë për të përmirësuar performancën e vet. Projekti i USAID-it “Përmirësimi i Performancës së Gjykatave në Shqipëri" do të punojë me drejtuesit e gjykatave për t’i bërë gjykatat më eficiente dhe më të përgjegjshme, si dhe me shoqërinë civile dhe gazetarë hetimorë për të theksuar kërkesat e qytetarëve për më shume transparencë dhe ndershmëri në sektorin e drejtësisë.

Nga viti 1992 deri në vitin 2015, USAID ka investuar 60 milionë dollarë në sektorin e drejtësisë në Shqipëri. Këto përpjekje kanë ndihmuar për modernizimin e sistemit të gjykatave dhe të atij të arsimimit ligjor, për forcimin e rolit mbikëqyrës të shoqërisë civile dhe për zvogëlimin e mundësive për korrupsion.