USAID dhe Ambasada Suedeze Shpallin Thirrjen për Propozime për Sektorin e Turizmit në Shqipëri

Kërcimtarë të rinj të valles popullore shqiptare
Gjatë pesë viteve të ardhshme, USAID dhe Sida do të investojnë 6 milionë dollarë, që do të bashkohen me 3 milionë dollarë fonde nga projektet fituese.
Elton Baxhaku

Për Shpërndarje të Menjëhershme

E enjte, Tetor 8, 2015
Stephanie A. Pepi
+355 4 224 3384

TIRANË, 8 TETOR 2015 - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze, po kërkon projekt-ide për zbatimin e veprimtarive që promovojnë  turizmin e qëndrueshëm në Shqipëri. Qëllimi i veprimtarive është të kontribuojnë për përmirësimin e sektorit të turizmit në Shqipëri, përfshirë përmirësimin në vend të mjedisit të përshtatshëm për bizneset dhe të aftësive të fuqisë së punës, për të shërbyer si katalizator për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Gjatë pesë viteve të ardhshme, USAID dhe Sida do të investojnë 6 milionë dollarë, që do të bashkohen me 3 milionë dollarë fonde nga projektet fituese.

Përfaqësuesi i USAID-it, Marcus A. Johnson, Përfaqësuesja e Zyrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Suedisë, Birgitta Jansson, dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj, mbajtën sot fjalën e rastit në ceremoninë e shpalljes së Annual Program Statement (Përshkrimi i Programit Vjetor), një thirrje për Projekt-Propozime e Projekt-Ide.

"Unë e konsideroj këtë Thirrje për Propozime për Grante si një garë idesh," tha Përfaqësuesi i USAID-it, Marcus Johnson. "Ne do të jemi në pritje të ideve shumë të mira e innovative, të cilat të nxjerrin në pah e të mundësojnë shfrytëzimin e potencialit të madh turistik të Shqipërisë. Ne do të presim me kënaqësi, nga mbarë Shqipëria, ide që do të krijojnë vende pune, do të nxisin zhvillimin ekonomik, do të përmirësojnë mjedisin rregullator dhe favorizues për turizmin, dhe do të rritin agro-turizmin".

Qeveria Shqiptare u ka dhënë përparësi krijimit të vendeve të punës dhe vlerës së shtuar në sektorët kyç, përfshirë turizmin dhe bujqësinë. Kontributi i drejtpërdrejtë nga udhëtimet dhe turizmi në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2013 ishte 4,8%, ndërsa kontributi i përgjithshëm (përfshirë efektet më të gjera nga investimet dhe nga zinxhiri i furnizimit) ishte rreth 17%, sipas Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit. Pritet që kontributi në PBB nga ky sektor të rritet në vitet e ardhshme.
  
Më shumë informacion mbi Annual Program Statement (Përshkrimin e Programit Vjetor) mund të gjendet në http://www.grants.gov dhe http://www.usaid.gov/albania/partnership-opportunities