Ushtria Amerikane dhe USAID dhurojnë një ndërtesë në mbështetje të fermerëve shqiptarë në Malësinë e Madhe

Dhurim Ndërtese për të Mbështetur Fermerët Shqiptarë
Magazinimi është i rëndësishëm kundër kontaminimit që ul cilësinë dhe vlerën e bimëve dhe të erëzave në shitje. Njesia magazinuese do të sigurojë një mjedis të pastër dhe të thatë për përpunimin dhe magazinimin e bimëve të grumbulluara.
Erald Lamja, AAC-Lushnja

Për Shpërndarje të Menjëhershme

E enjte, shkurt 11, 2016

KOPLIK, SHQIPËRI – Sot, Përfaqësuesin e USAID-it në Shqipëri, Marcus Johnson, dhe përfaqësues të Ushtrisë Amerikane, përuruan godinën e magazinës, dhuruar nga Ushtria Amerikane për anëtarët e Shoqatës “LUJZ”, një grup fermerësh të Bimëve Aromatike dhe Mjekësore (BAM) në Malësinë e Madhe, në veri të Shqipërisë. Një nga sfidat kryesore për kultivuesit dhe përpunuesit e BAM ka qenë nevoja për sipërfaqe më të mëdha magazinimi për ruajtjen e bimëve nga ndotja që ul cilësinë dhe vlerën e tyre në shitje. Kjo magazinë do të përdoret për të zgjidhur këtë problem, duke siguruar një mjedis të pastër dhe të thatë për përpunimin dhe magazinimin e bimëve të grumbulluara. Shoqata e fermerëve ka marrë nga USAID/Shqipëri një grant 20 000 dollarë për porositjen dhe blerjen e rafteve tharëse, për të reduktuar kontaminimin.

BAM përfaqësojnë eksportet më të rëndësishme shqiptare që prodhohen në vend, aktualisht vlerësuar në shifrën 27-28 milionë dollarë në vit. Sektori i erëzave siguron gjithashtu të ardhura për mijëra familje që merren me mbledhjen dhe grumbullimin e bimëve të egra dhe të kultivuara, dhe me pastrimin e magazinimin e tyre. Nga vlerësimet e fundit del se mbi 100 000 familje janë përfshirë në këtë sektor dhe, në veri të Shqipërisë, puna me BAM siguron rreth 35 % të të ardhurave familjare. Përveç kësaj, Shqipëria është veçanërisht e pasur me specie indigjene të BAM: 15% e 360 e këtyre specieve janë me vlera mjekësore, aromatike dhe erëza.

Në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e BAM shqiptare, USAID dhe partneri i saj lokal, AAC-Lushnja, një OJQ shqiptare, po zbatojnë një sërë veprimtarish për zhvillimin e prodhimit dhe të marketingut në zonë, ku përfshihet dhe mbështetja për Shoqatën “LUJZ” për sigurimin e çertifikimit “bio” të bimëve dhe për rritjen e numrit të BAM që po kultivohen për qëllime tregtare.

Dhurimi i magazinës u mundësua nga programi “donation in lieu of abandonment” i Camp Bondsteel në Kosovë, i cili ka dhuruar qindra njësi metalike magazinimi në vendet e Ballkanit. Në Shqipëri, dhurimi i parë është bërë për Shoqatën e Kultivuesve të Agrumeve, Xarrë, në vitin 2014. Dhurimi për Shoqatën “LUJZ” është i dyti. USAID, përmes programit në mbështetje të bujqësisë, dhe AAC-Lushnja po punojnë me disa fermerë dhe shoqata agrobiznesi për të rritur konkurrueshmërinë e prodhimeve bujqësore shqiptare.