Për Shpërndarje të Menjëhershme
Sot, Ambasadori Amerikan Donald Lu dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, morën pjesë në ceremoninë e përfundimit të punës në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik, për ta bërë atë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara. Tani personat me aftësi të kufizuara që duan të ndjekin kurse profesionale dhe të hyjnë në tregun e punës, mund t’i ndjekin kurset pa pasur nevojë për shoqërim dhe në mjedise ku hyrjet e kalimet janë të përshtatura për ata.
Në fjalën e rastit, Ambasadori Lu falenderoi Drejtorinë Rajonale për mbështetjen ndaj këtij projekti dhe u bëri thirrje institucioneve të tjera që të përshtatin mjediset për t'i bërë të arritshme dhe ftuese për personat me aftësi të kufizuara. "Personat me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë keqardhje apo mëshirë. Ata duan oportunitete, mundësira për të studiuar dhe për t’u përgatitur për të qenë anëtarë plotësisht të integruar të shoqërisë."
Në Shqipëri, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, 137,435 njerëz mbi moshën 15 vjeç jetojnë me aftësi të kufizuar. Shumë prej tyre janë në gjendje të mësojnë një aftësi që mund t’i çojë ata drejt punësimit apo vetëpunësimit. Qendrat shtetërore të Formimit Profesional ofrojnë kurse që mund të përshtaten për personat me aftësi të kufizuara në lëndë për të cilat ka kërkesa në tregun e punës.
Ky projekt, krahas me një nismë të ngjashme në Drejtorinë Rajonale të Formimit Profesional Publik nr. 4 në Tiranë, u realizua nga USAID, nëpërmjet Assist Impact dhe Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, për përmirësimin e infrastrukturës fizike të qendrave dhe për ofrimin e mundësive për formimin e nevojshëm për personat me aftësi të kufizuara.
###
Informacion për Zbatuesit e Projektit:
Assist Impact është një organizatë private, jo-fitimprurëse, e angazhuar për përparimin drejt një shoqërie të begatë, të drejtë dhe përfshirëse. Assist Impact ka për qëllim krijimin dhe mbështetjen e kapaciteteve të individëve, grupeve, komuniteteve, institucioneve dhe organizatave në sektorin jo-fitimprurës, publik dhe privat, për të kontribuar drejt një shoqërie të begatë dhe përfshirëse që luan një rol konstruktiv në botë.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.