Për Shpërndarje të Menjëhershme
Prishtinë, 27 Shkurt – Agjencioni i Sh.B.A.-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) paralajmëron nisjen e një aktiviteti të ri i cili ka për qëllim mbështetjen e grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara në Kosovë si dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në ndikimin e zhvillimit dhe zbatimit të politikave të cilat i prekin këto komunitete.
"Puna me komunitetet e margjinalizuara është pjesë përbërëse e punës sonë në secilin prej programeve të USAID-it në Kosovë," thotë Drejtori i Misionit të USAID-it James Hope. "Ky program do t’i shfrytëzojë njohuritë që kemi fituar gjatë punës nëpër sektorë të ndryshëm për t’u përqëndruar në përmbushjen e nevojave specifike të këtyre grupeve të cenueshme."
Angazhimi për Barazi do të sigurojë nën-grante dhe përkrahje teknike të shënjestruar për organizatat lokale të shoqërisë civile të cilat punojnë në mbrojtjen e të drejtave të grave, pjestarëve të komunitetit LGBT – lesbikeve, gejëve, biseksualëve dhe personave transgjinor, personave me aftësi të kufizuara, dhe të rinjëve.
USAID-i ka ndarë 2.5 milion dollarë amerikan për këtë aktivitet trevjeçar i cili synon fuqizimin e grave përmes përmirësimit të mbrojtjes së të drejtave pronësore dhe rritjes së angazhimit të tyre në qeverisje dhe ekonomi, avancimin e mbrojtjes së të drejtave qytetare të komunitetit LGBT, si dhe zgjërimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara dhe popullatës së madhe dhe vitale të të rinjëve në këtë vend.
Projekti do të implementohet nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), organizatë kjo joqeveritare vendore e cila punon në rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe shoqërisë civile në vendimmarrje duke siguruar trajnime dhe resurse të tjera me qëllim të forcimit të përpjekjeve në avokim që bëhen nga organizatat e shoqërisë civile në vend.
USAID-i është agjencion i pavarur i qeverisë federale i cili merr udhëzime të përgjithshme të politikës së jashtme nga Sekretari i Shtetit, ndërsa ofron asistencë ekonomike dhe humanitare anembanë botës për më shumë se 50 vjet.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.