Gratë Gjejnë Zërin e Tyre në Sektorin Civil dhe Afarist të Kosovës

Gratë bëhen aktive në planifikim brenda komunitetit të tyre dhe në zhvillim të ndërmarrësisë
Ruzhica Milutinoviq tregon me krenari komposterin i cili i’u dha asaj në kuadër të nismës së USAID-it.
Bridget Nurre, USAID
Gratë bëhen aktive në planifikim brenda komunitetit të tyre dhe në zhvillim të ndërmarrësisë
“Jam mirënjohëse për këtë mundësi, sepse para këtij forumi nuk kisha ndjenjën se zëri im është duke u dëgjuar.”

Shtator 2014— Ruzhica Milutinoviqit nuk i duhet shumë kohë që të fillojë të flasë për të arriturat e burrit të saj si aktivist dhe kryetar i kuvendit të fshatit të tyre Graboc, fshat ky në pjesën rurale të veriut të Kosovës, mirëpo nuk duhet biseduar gjatë me te për të mësuar se edhe ajo vetë është një mbështetëse e përkushtuar e komunitetit.  

Kjo nënë e katër fëmijëve ka ngritur një serrë organike në oborrin e saj për të ushqyer familjen por edhe për të shitur prodhime në tregun lokal. “Nëse hani shëndetshëm dhe i kontribuoni mjedisit tuaj, do të jeni shpirtërisht i shëndoshë,” tha ajo një mëngjes të verës së vonë, duke pirë kafe dhe raki shtëpiake të arrës. “Qëllimi im është që t’a bëj komunitetin tim më të prosperueshëm dhe t’ua lë fëmijëve të mi në gjendje më të mirë se që është tani.”  

Ruzhica është bërë aktive në Forumin e Grave të Komunitetit të saj lokal, një nga tetë forume të tilla të themeluara në veri të Kosovës nga Programi për Pjesëmarrje Aktive të Komuniteteve i USAID-it (CAIP) në vitin 2013, pas evidentimit nga ana e programit të pjesëmarrjes së ultë të grave në aktivitetet e planifikimit në kuadër të komunitetit. Forumi është dëshmuar si i suksesshëm në identifikimin e nevojave specifike dhe prioriteteve të grave në këtë regjion të Kosovës me shumicë serbe.

“Jam mirënjohëse për këtë mundësi, sepse para këtij forumi nuk kisha ndjenjën se zëri im është duke u dëgjuar,” shpjegon Ruzhica, e cila ndihmoi në krijimin e një çerdheje të fëmijëve ndërsa tani është duke bërë një avokim të zëshëm për nismat e mbrojtjes së mjedisit në kuadër të komunitetit të saj, si riciklimi dhe bujqësia organike.    

Papunësia është një sfidë e madhe për gratë në veri të Kosovës, shumë prej të cilave, sikurse edhe zonja Milutinoviq, humbën vendet e tyre të punës me uljen dramatike të aktiviteteve në kuadër të ish-gjigantit regjional, kompleksit të minierave Trepça, gjatë dy dekadave të fundit. Përmes këtij programi, USAID-i gjithashtu i dha një shtytje të madhe krijimit të vendeve të punës, duke u ofruar trajnime në fushën e biznesit dhjetra grave që aspirojnë të bëhen ndërmarrëse dhe duke u dhënë grante për zhvillim ekonomik 24 ndërmarrjeve në pronësi të grave.  

Njëri nga këto grante i’u dha Vesna Grujiqit, një ish-inxhinjere e makinerisë në Trepçë, e cila hapi biznesin e saj fotografik në vitin 2009. Megjithëse baza e klientëve të saj u zgjërua me shpejtësi, Vesnës i mungonin mjetet financiare të domosdoshme për blerjen e printuesit të fotove i cili i nevoitej për të mbuluar kërkesat e klientëve.    

“Shprehjet ‘nuk di’ ose ‘nuk mund ta bëj’ nuk ekzistojnë fare në vokabularin tim,” thotë Grujiq, e cila konkuroi tek USAID-i dhe fitoi grantin në shumë prej 32.000 dollarë amerikan, gjë e cila i mundësoi blerjen e printuesit dhe punësimin e katër punonjësve shtesë. Ajo menjëherë vërejti rezultate, ndërsa fitimi i saj u rrit për 40 përqind gjatë tremujorshit të ardhshëm.   

Përmes granteve, USAID-i ka promovuar krijimin e vendeve të punës si tek bizneset tashmë të etabluara në pronësi të grave ashtu edhe tek ato të sapothemeluara, duke u dhënë përparësi atyre që mund të ushtrojnë ndikimin më të madh në komunitet, siç ishte rasti i Shoqatës së Grave “Inspiracija” (“Frymëzimi” në gjuhën serbe), e cila u themelua me bashkimin e shtatë nënave vetëushqyese kreative me qëllim të fitimit të të ardhurave të mjaftueshme për të mbajtur familjet e tyre.   

“Nuk është vetëm dashuria që kemi për punë dore ajo që na bashkon, por janë edhe fëmijët tanë që, si nëna, na shtyejnë të  qëndrojmë së bashku,” thotë themeluesja e “Inspiracija” Liljana Drazhiq, e cila kishte ndjenjën se qeveria e saj lokale nuk ishte duke bërë mjaft për të mbështetur nënat vetëushqyese, të cilat në shoqërinë tradicionale shpesh shihen si të përjashtuara nga mjedisi shoqëror.    

Megjithëse vetë nuk është nënë vetëushqyese, Liljana thotë se identifikohet me ndjenjën e të qenit e përjashtuar pas vendimit të saj për të adoptuar një fëmijë jetim të etnisë Rome, dhe se mu sikurse nënave vetëushqyese, edhe asaj i është dashur të fitojë para për familjen e saj. Falë grantit të USAID-it, këto gra tani kanë në dispozicion mjete financiare të mjaftueshme për të zgjëruar biznesin e tyre artizanal shtëpiak, duke përfshirë edhe blerjen e një tezgjahu me qëllim të hapjes së një tregu të ri të produkteve të endura.   

“Si gra, ne jemi të afta që të realizojmë çdo gjë që na bie ndërmend, prandaj i jemi shumë mirënjohëse USAID-it që na dha mjetet për ta bërë këtë,”    

Nga korriku i vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2014, Programi për Pjesëmarrje Aktive të Komuniteteve, në partneritet me 40 komunitete etnike minoritare anembanë Kosovës, punoi në mbështetje të zhvillimit të komuniteteve dhe infrastrukturës, ndërtimin e një shoqërie civile të fuqishme, dhe zgjërimin e mundësive ekonomike.                                        

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook