Teknikat e reja në klasë forcojnë mësimdhënjen dhe të nxënit në Kosovë

A Kosovo teacher trains her colleagues to make their teaching more effective
Valentina udhëzon në përdorimin e teknikave të cilat i mësoi në Vlerësimin për Mësim, kurs ky i organizuar nga Programi i USAID-it për Arsim
Program i USAID-it për Arsim Themelor
Teknikat e reja në klasë forcojnë mësimdhënjen dhe të nxënit në Kosovë
"Ishin si fëmijët, të ngazëllyer, dhe i tregonin njëri tjetrit se çka po ndodhte”

Gusht 2015 – Mijëra mësimdhënës të shkollave fillore në Kosovë po mësojnë se si t’i udhëzojnë nxënësit e tyre në mënyrë më të efektshme dhe të përcaktojnë me shpejtësi nëse mësimet po kuptohen si duhet. Valentina Cërmjani punon si mësimdhënëse e shkollës fillore në Kosovë tashmë 19 vjet. Deri vitin e kaluar, ajo ka punuar në një shkollë fshati, 10 kilometra nga qyteti i Gjakovës, një pjesë e madhe e së cilës ka qenë e shkatërruar gjatë konflikteve në Ballkan gjatë viteve 1990.

Cërmjani gjithmonë ka dashur të bëhet mësimdhënëse më e mirë dhe ka vijuar shumë kurse trajnimi. Në vitin 2012, ajo u propozua nga ana e kolegëve të saj për t’u bërë moderatore e shkollës për kursin e ri Vlerësimi për Mësim, të organizuar nga Programi i Arsimit Themelor i USAID-it. Kur ajo u ftua për të marrë pjesë në kurs nuk ishte e vetëdijshme se ai do të ndryshonte mënyrën në të cilën ajo jepte mësim. “Mendoja se ky kurs kishte thjeshtë të bënte me testim ose notim,” pranon Valentina.  

Në vend të asaj që priste, ajo mësoi se si të përdorë teknika të thjeshta të mësimdhënjes të cilat i mundësuan që të merrte informata kthyese të shpejta nga nxënësit e saj dhe të shohë se a e kanë kuptuar si duhet mësimin. Ajo gjithashtu mësoi se si t’u ofrojë atyre mënyra të vetëvlerësimit të mësimit të tyre dhe të shokëve e shoqeve të tyre të klasës. Paraprakisht, Valentina do të zbulonte nëse fëmijët e kishin kuptuar mësimin vetëm në një faze më të vonë, pasi ata të testoheshin apo të bënin ndonjë gabim. Teknikat e “Vlerësimit për Mësim” i mundësuan asaj dhe nxënësve të saj që t’i korigjojnë keqkuptimet në një faze të hershme.  

“Fillimisht, nxënësve më të aftë nuk u pëlqente që puna e tyre të kontrollohej nga nxënësit tjerë, mirëpo kur panë se duheshin përdorur kriteret e drejta dhe transparente, ata e pranuan këtë qasje me entuziazëm dhe trajtuan këtë ushtrim me seriozitet,” tha ajo.    

Pas kursit, Cërmjani vijoi trajnime shtesë të USAID-it dhe u kualifikua si moderatore e shkollës, gjë e cila i mundësoi asaj që t’i trajnojë mësimdhënësit e shkollës së saj dhe atyre fqinje dhe të veprojë si mentorë i kolegëve të saj.    

“Ata në fillim mendonin se dinin gjithçka që kishte të bënte me vlerësimin, por kur panë se teknikat ishin praktike dhe se mund të aplikoheshin në punën e tyre të përditshme, ata u bënë të motivuar,” tha Cërmjani për kolegët e saj. “Ishin si fëmijët, të ngazëllyer, dhe i tregonin njëri tjetrit se çka po ndodhte.”

Vitin e kaluar, Cërmjani u transferua në një shkollë më të madhe të qytetit. Ajo ka dy fëmijë të saj, të cilët ndjekin shkollën. E pyetur se çka mendojnë ata për Vlerësimin për Mësim, Valentina u përgjegj: “Ata vetëm për këtë flasin dhe ankohen nëse ndonjë mësimdhënës nuk i përdorë teknikat.”   

Vlerësimi për Mësim njihet ndërkombëtarisht në arsim si një qasje e dizajnuar për të përmirësuar mësimin e nxënësve. Në Kosovë, Vlerësimi për Mësim tashmë është duke u shtrirë në të gjitha shkollat fillore. Deri më tani, më shumë se 400 shkollave u janë siguruar nga së paku një moderator i kualifikuar i vlerësimit, ndërsa më shumë se 12.000 mësimdhënës kanë përfunduar kursin.  

Programi i Arsimit Themelor, partneritet ky me Qeverinë e Kosovës i cili zhvillon aktivitete nga gushti i vitit 2010 dhe do të zgjasë deri në korrik të vitit 2016, është i dizajnuar që të përmirësojë cilësinë e arsimit primar duke forcuar menaxhimin e shkollave, bordet e shkollave, shoqatat e arsimtarëve dhe prindërve, si dhe duke u ofruar zhvillim profesional mësimdhënësve dhe administratorëve të shkollave. 

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube