Nga Fakulteti në Fushë: Fermerët Kosovar Vendosin Caqe të Reja

Ne ndryshuam kahjen të cilën këta do të ndiqnin, kështuqë në vend se të bëheshin punëkërkues u bënë punëdhënës
Nehat Haliti mbanë arkën me dredhëza të sapombledhura në fermën e tij familjare jashtë qytetit të Vushtrrisë, Kosovë.
USAID Mundësit e Reja për Bujqësi
Dredhëzat u mundësuan fitim të mirë dy sipërmarrësve fillestar.
"Ne ndryshuam kahjen të cilën këta do të ndiqnin, kështuqë në vend se të bëheshin punëkërkues u bënë punëdhënës"

Nëntor 2014—Dy sipërmarrës të rinj bujqësor, që rishtazi kanë kryer fakultetin, janë duke shijuar frytet e punës së tyre: rendimente rekorde të dredhëzës. Mirëpo, tregimi i suksesit të tyre përfshinë më tepër se arsimimin e tyre formal.

Nehat Haliti dhe Milazim Bislimi, të cilët në vitin 2013 diplomuan në Universitetin e Prishtinës në fushën e bujqësisë, nuk kishin kurrëfarë përvoje praktike në lëminë e tyre të përbashkët të specializimit: pemtari. Në pranverë të vitit 2014, atyre u doli në ndihmë projekti i USAID-it Mundësitë e Reja në Bujqësi (NOA), duke u siguruar trajnime praktike dhe material mbjellës bimor të domosdoshëm për të filluar në bujqësi.

Dy të rinjtë filluan të vjelin nga 100 deri në 200 kg dredhëza të freskëta në ditë gjatë kësaj vere, as një gjysmë viti pasi kishin mbjellur 25.000 fidane të dredhëzës të siguruara nga USAID-i. Rendimentet e larta që këta i arritën në fermat e tyre përkatëse, në rajonin e gjerë të Prishtinës, u sollën secilit prej tyre fitime ditore prej më shumë se 450 euro.

“Mezi po pres që të agojë dita, për të dalur në fushë dhe filluar me vjeljen e dredhëzave të mia,” thotë Haliti.

“Vetë fakti se unë tash jam pronar i biznesit tim të dredhëzave më duket si realizim i një ëndrre,” thotë Bislimi.

Fermerët e rinj kanë vjelur diku në mes 35 dhe 45 ton dredhëza për hektarë, duke thyer kështu rekordin vendor prej 15 tonësh, bazuar në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.

Varieteti “Albion” i dredhëzave, të cilin e kultivon çifti i fermerëve, çmohet në tregun lokal për shkak të shijes së tij të ëmbël, dhe i freskët shitet me çmimin e lartë prej 2 deri në 3 euro për kilogram.

Duke shikuar drejt së ardhmes, të dy fermerët po rrisin numrin e të punësuarve – Haliti, për shembull, tashmë ka shtatë individ që punojnë me të – dhe janë duke hartuar plane për zgjërim me shpenzime vetanake.

“Të sapodiplomuarit kishin shkathtësitë teknike, por jo edhe kapacitetin për t’u bërë sipërmarrës bujqësor. Ata fare nuk kishin ide se mund të bëheshin sipërmarrës bujqësor. Që të dy kishin tokë në pronësi familjare, tërësisht të pashfrytëzuar, dhe meqë nuk kishin mjete financiare, ata nuk dinin as si e as prej nga t’ja fillonin,” thotë Drejtori i programit NOA të USAID-it Mark Wood. “Këta të sapodiplomuar do të hynin në tregun e zakonshëm të punës. Ne ndryshuam kahjen të cilën këta do të ndiqnin, kështuqë në vend se të bëheshin punëkërkues u bënë punëdhënës.”

Programi katërvjeçar i Mundësive të Reja në Bujqësi i USAID-it ka punuar me industrinë bujqësore të Kosovës nga janari i vitit 2011, për të krijuar lidhje të reja në treg si dhe për të rritur dhe diversifikuar prodhimtarinë bujqësore, përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit, dhe rritur qasjen në kredi me kushte të përballueshme.

 

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube