Nxënësit Kosovar vazhdojnë arsimin jashtë mësojtores

Aktivitetet jashtëkurikulare përforcojnë mësimet e nxëna në klasë dhe i mbajnë nxënësit të angazhuar.
Gara vjetore RobotiKS tërheqë fëmijët nga e gjithë Kosova
Programi i USAID-it për Arsim Themelor
Aktivitetet jashtëkurikulare përforcojnë mësimet e nxëna në klasë dhe i mbajnë nxënësit të angazhuar.
“Ne mund të mbajmë mësime nga teoria gjatë gjithë ditës, por është zbatimi i kësaj teorie në praktikë ai që nxitë të menduarit kreativ dhe idetë e reja.”

Jan. 2015—Gjatë katër viteve të fundit, USAID-i ka përparuar me hapa të mëdhenj brenda klasëve të Kosovës duke: ristrukturuar kurikulat shkollore, ndihmuar mësimdhënësit përmes mundësimit të qasjes në resurset e nevojshme, e deri te frymëzimi i nismave të udhëhequra nga komunitetet për rinovimin e qindra klasëve anembanë vendit me qëllim të krijimit të mjediseve më të përshtatshme për mësim. Mirëpo, puna në të cilën USAID-i i nxitë nxënësit pas orëve të mësimit ka gjasë të ketë efektin më të gjatë dhe më të qëndrueshëm për demokracinë e njomë.    

“Ne mund të mbajmë mësime nga teoria gjatë gjithë ditës, por është zbatimi i kësaj teorie në praktikë ai që nxitë të menduarit kreativ dhe idetë e reja,” shpjegon Luljeta Rama, mësimdhënëse pranë shkollës fillore “Eqrem Çabej” në qytetin verior të Mitrovicës.

Me një mesatare prej 30 nxënësish për klasë dhe me shumicën e shkollave që punojnë në dy ndërrime, mësimdhënësit e Kosovës kanë kohë të kufizuar për të shkuar përtej teorisë me nxënësit e tyre. Duke patur parasysh këtë fakt, USAID-i përmes Programit të Arsimit Themelor të tij i’u përvesh punës duke nisur një llojllojshmëri aktivitetesh jashtë-kurikulare, sikurse klubet teknologjike në mbi 70 shkolla fillore, me qëllim të përforcimit të asaj që nxënësit mësojnë në klasë.

Programi ka punuar me qeveritë komunale dhe OJQ-të lokale për t’i jetësuar njohuritë nga tekstet shkollore përmes organizimit të garave që kanë për qëllim t’i sfidojnë nxënësit në lëmi të ndryshme si robotika, prodhimi i filmave dhe krijimi i librave.  

Këtë vit, kampi veror vjetor i programit për robotikë, RobotiKS, mblodhi së bashku 102 nxënës – të klasëve 7 deri në 9 – nga të gjitha viset e Kosovës, me qëllim të zhvillimit të shkathtësive të tyre nga robotika dhe elektronika. Ishin klubet teknologjike nëpër shkollat e tyre ato që shumicës prej pjesmarrësve të kampit u ngjallën interesimin për robotikë, nërsa vetë kampi u erdhi si një mundësi shumë e mirë për të takuar nxënës të tjerë të cilët ndajnë interesimet e tyre.

“Mendoja se unë dhe shoqja ime do të ishim të vetmet vajza në RobotiKS. Takimi me shumë vajza të tjera në kamp, të cilat e duan teknologjinë po aq shumë sa unë, ishte befasi e këndshme,” tha Eronita Jasiqi, nxënëse e klasës së tetë.

Përmes garës vjetore “Oskarët e Juniorëve,” nxënësit kosovar vëjnë në sprovë shkathtësitë e tyre teknologjike dhe kreativitetin, duke prodhuar filma dhjetëminutësh gjatë kohës së tyre të lirë. Dyzet e tetë shkolla dorëzuan filma për garën e sivjetme, në të cilën u ndanë çmime për Dokumentarin më të Mirë, Tregimin më të Mirë, Filmin më të Mirë në Gjuhën Angleze dhe Filmin më të Mirë të Animuar.  

“Puna në ekip për të bërë filmin tonë ishte e mrekullueshme, ndërsa fitimi i shpërblimit i dha asaj një vlerë edhe më të veçantë,” shpjegoi Alma Mustafa, nxënëse e klasës së nëntë. “U ndjemë sikur të ishim yje të Hollivudit!”    

Përderisa shumë prej programeve jashtë-kurikulare kanë një komponentë të fortë teknologjike, disa të tjerë u kthehen bazave, siç është rasti me garën në shkallë vendi në krijimin e librave, e cila ka për qëllim inkurajimin e shkrim-leximit. Kjo garë bazohet mbi parimet themelore të kurikulës së leximit të Programit të Arsimit Themelor dhe synon që t’i sfidojë lexuesit e rinj për të shkruar tregime të veta, krahas ilustrimit dhe lidhjes së librave.   

“Leximi është pasion imi,” thotë nxënësja e klasës së katërt dhe njëherit garuese në krijim të librave Erbora Tupella. “Jam veçanërisht e lumtur që kam fituar çmimin në kategorinë e Librave me Kopertina të Buta të Qepur me Dorë.”

Fokusimi i programit në rritjen e angazhimit të nxënësve përmes aktiviteteve jashtë-kurikulare ka tërhequr vëmendjen e të gjithë akterët kryesor të fushës së arsimit në Kosovë – në veçanti prindërit.  

“Kam parë përmirësim të madh, si nga aspekti i qëndrimit të përgjithshëm ashtu edhe nga ai i notave të bijës sime, falë përfshirjes së saj në garën e Oskarëve të Juniorëve,” thotë me buzëqeshje në fytyrë prindi Rafet Tahiri. “Këto janë lloj i shkathtësive praktike të cilat do ta përgatisin atë për t’u bërë me të vërtetë e suksesshme si person i rritur.”

Programi i Arsimit Themelor i USAID-it është një partneritet pesëvjeçar në mes USAID-it dhe Qeverisë së Kosovës, i cili punon me shkollat dhe komunitetet për të zhvilluar shkathtësitë e shekullit 21 tek fëmijët e klasëve fillore 1-9.   

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube