Drejtuesja e Programit në Radio: E Verbër, por me Zë të Fuqishëm

Ervehe Tushi
Programi i Ervehe Tushes transmetohet çdo ditë në stacionin e radios kombëtare shqiptare, RTSH Radio Tirana 99.5 FM, e cila ka mundësuar për këtë gazetare përdorimin e sistemit “brail” për të shkruar dhe lexuar artikujt e saj.
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FShDPAK)
Persona me aftësi të kufizuara ndihmohen të hyjnë në tregun e punës
"Këshillimi nga ana e Fondacionit më dha shumë besim."

Janar 2017—Në radion amerikane janë të famshëm dhe shumë të dashur për publikun Diane Rehm dhe Kojo Nnamdi, drejtues të emisioneve “talk-show”. Edhe radio shqiptare ka një drejtuese të tillë të bisedave në studio: Ervehe Tushe, e njohur si “Veko”, e cila shkruan, përgatit dhe transmeton intervista dhe histori jetësore, jep lajme të ditës, tërheq interesin dhe imagjinatën e dëgjuesve me trajtimin e gjerë të temave të veçanta, me njoftime e komente rreth ngjarjeve të ndryshme. 

Tushe është e verbër, si pasojë e një aksidenti në moshën e fëmijërisë. 

Pas studimeve të larta, teksa nuk dinte se ç’do të bëhej me jetën e saj dhe me çfarë do të merrej, në vitin 2012, Tushe ndjek disa seanca këshillimi (coaching), të specializuara për punëkërkues me aftësi të kufizuara. Ajo është një nga 482 personat përfitues nga programi i mbështetur nga USAID dhe i zbatuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FShDPAK). 

"Seancat e këshillimit më dhanë shumë besim në vete," thotë ajo. Pasi dërgon CV-në dhe regjistrimin e zërit të saj, Tushe, e shoqëruar nga stafi i Fondacionit, jep një intervistë pune në një nga radiot më të rëndësishme në Tiranë. Atë e marrin në punë menjëherë, për gjërat që dinte të bënte. Të cilat rezultuan të ishin shumë.

"Nganjëherë pyes veten se si arrita deri këtu”, thotë ajo.

Historia e jetës së saj është e veçantë. E braktisur në moshë të mitur, Tushe gjen kujdestari në një familje të dashur; lexon libra-audio, dhe fillon të kuptojë se për të ka dy mundësi: ose të vazhdojë të jetojë nën atë strehë, ose të marrë rrugën tepër të vështirë të pavarësisë. Dhe vullneti i hekurt e ka ndihmuar atë gjithmonë të arrijë suksese.

“Hapi tjetër”, thotë ajo, “është të kem një radio private”.

Tushe po kthehet në një veprimtare pararojë dhe një zë për të tjerët; ajo është një nga 20 gratë me aftësi të kufizuara në Shqipëri që u bënë pjesë e një programi kombëtar për përgatitjen e drejtuesve apo udhëheqësve të ardhshëm, program ky që i ka fillesat në 2015 Women’s Institute on Leadership and Disability Training-of-Trainers Program, mbështetur nga USAID dhe nga Mobility International USA.

Në Shqipëri numri i personave me aftësi të kufizuara është afërsisht 140 mijë. Sipas Ligjit të vitit 1995 “Për Nxitjen e Punësimit”, 4% e të punësuarve duhet të jenë persona me aftësi të kufizuara, por kjo kërkesë nuk është realizuar ende.

USAID ka qenë gjithmonë në krah të përpjekjeve të FShDPAK-ut për të ndikuar në legjislacionin e ri dhe të përmirësuar, në emër të personave me aftësi të kufizuara, dhe për të mbështetur reformën ligjore të trainimit profesional, në respekt të udhëzimeve dhe praktikave më të mira botërore. FShDPAK-u gjithashtu, në vitin 2010, ka zhvilluar dhe publikuar vlerësimin e parë në Shqipëri të politikave dhe ligjeve të punësimit, si dhe, që nga ai vit, ka matur zbatueshmërinë e tyre.

Bashkëpunimi i ngushtë i FShDPAK-ut me Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe me zyrat e tij rajonale, ka qenë çelësi i suksesit dhe i qëndrueshmërisë së përpjekjeve të programit të USAID-it për sigurimin e përshtatshmërisë së kërkesë-ofertës nga ana e të dyja palëve: punëkërkuesve dhe bizneseve punëdhënëse. Ka shenja premtuese se ky partneritet do të ndihmojë ecjen përpara të programit. 

Në prill 2014, ishte hera e parë që Qeveria e Shqipërisë vuri ne dispozicion një fond të veçantë për të mbështetur bizneset për subvencionimin e pagave minimale dhe të sigurimeve shoqërore të punonjësve, si dhe për sigurimin e “zgjidhjeve të arsyeshme” (reasonable accommodation: përshtatje e mjedisit të punës dhe sigurim i transportit të aksesueshëm) për njerëzit me aftësi të kufizuara. Deri tani, 24 biznese kanë pasur akses në këtë fond të veçantë.

"Të ofrosh shërbime punësimi për personat me aftësi të kufizuara është një çështje komplekse, por, të bashkuar, ne po i ndryshojmë dhe po i përmirësojmë gjërat", thotë Brikena Nallbani e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Kohëzgjatja e projektit të USAID-it “Fuqizimi Ekonomik i Personave me Aftësi të Kufizuara" është shtator 2010 - maj 2017.

LINKS