Bursistja Avokon për Kosovarët me Ostomi

Bursistja Avokon për Kosovarët me Ostomi
Arta Uka, fare në të majtë, dhe fituesit tjerë të çmimit të programit të Liderëve Avancues
WorldLearning
Trajnimi për lidership sjellë ndikim më të madh në dobi të kauzave qytetare
“Tashmë jam takuar me ministrin e shëndetësisë i cili na dha mbështetje të madhe..”

Mars 2017 — Si udhëheqëse e Shoqatës për Ostomi të Kosovës, Arta Uka punon për të ndihmuar kosovarët të cilët kanë ostomi – hapje artificiale në ndonjë organ të trupit të krijuar gjatë operacionit kirurgjikal. Ajo aktualisht po punon në një projekt të informimit të qytetarëve për këtë gjendje përmes fletëpalosjeve dhe broshurave në gjuhën shqipe dhe serbe. Ajo gjithashtu po planifikon organizimin e ligjëratave të mjekëve lidhur me mënyrën më të mirë të të jetuarit me ostomi.  

Pjesëmarrja e Ukës në një program të lidershipit të USAID-it i ka ndihmuar asaj të arrijë aty ku është sot.

Në vitin 2015, Uka fitoi ekuivalentin e kredive të një semestri të tërë në Universitetin e Kalifornisë në Berkley, duke fituar çertifikatë profesionale nga menaxhmenti dhe udhëheqja në kuadër të programit të USAID-it Lidershipi Transformues – Bursat dhe Partneritetet. Ky program implementohet nga organizata World Learning dhe bashkëfinancohet nga Qeveria e Kosovës. “Përvoja ime në Berkley ishte absolutisht e mrekullueshme,” thotë Uka. “Si nga aspekti akademik ashtu edhe ai shoqëror. Mënyra e jetesës atje është shumë frymëzuese. Po të mos ishte përvoja ime me Lidershipin Transformues dhe koha e kaluar në Berkley, unë nuk do të mund të aplikoja për programin e bursave të Liderëve Avancues.”

Në vitin 2016, Uka u bë një nga shtatë bursistët nga e gjithë bota të programit të Liderëve Avancues të organizatës World Learning,. Pjesëmarrja në këtë program të bursave, e cila është e hapur për të gjithë ish-studentët e programeve të World Learning, ofron trajnime nga inovacioni shoqëror, menaxhimi i projekteve dhe lidershipi, si dhe siguron grante dhe rrjete të mentorimit për kandidatët e përzgjedhur me arritje të larta të cilët kanë projekte shoqërore inovative në vendet e tyre të origjinës. Në fazën fillestare, Uka ishtë njëra në mesin e rreth 50 individëve të cilët u përzgjodhën për pjesën dymujore online të ligjëratave dhe vebinarëve nga menaxhimi i projekteve dhe udhëheqja.

“Çdo javë na duhej të dorëzonim detyra të shtëpisë, dhe qëllimi i gjithë kësaj ishte që të përgatitemi për të shkruar projekt-propozime të inovacioneve shoqërore që kanë për synim të ndihmojnë komunjtetet tona,” thotë Uka. “Duke qenë se ne i shikonim dhe vlerësonim njëri-tjetrit detyrat e shtëpisë, unë mësova shumë nga konkurrenca dhe shokët e klasës. Projektet e shokëve të mi të klasës ishin të fokusuara në sigurimin e strehimit, ushqimit dhe ndihmës në raste të abuzimit.

Në fund të këtyre dy muajve, “të mbijetuarit” të cilët përfunduan të gjitha detyrat e dhëna u kualifikuan për të aplikuar për pjesën e Washingtonit të programit të Liderëve Avancues. Uka u pranua si bursiste e këtij programi me projekt-propozimin e saj të ndihmës për kosovarët me ostomi.

“Idea fillestare erdhi nga nëna ime,” shpjegon ajo. “Nëna ime vuante nga kanceri i zorrës së trashë dhe ne ishim të detyruar që të bëjmë shumë hulumtime për të qenë në gjendje të menaxhojmë situatën.”

Pas diagnostifikimit të nënës së saj, Uka fillojë të mësojë për sëmundjen dhe themeloi shoqatën. Pjesëmarrja e saj e mëvonshme në programet e bursave dhe liderëve avancues forcoi aftësitë e saj të avokimit për kauzën e shoqatës.

“Qëllimi është që të gjithë bursistët e programit të Liderëve avancues të përfundojnë projektet e veta deri në prill. Unë personalisht kam në shënjestër që të krijoj një web faqe, të zhvilloj dy fokus grupe, dhe që deri atëherë të filloj me prodhimin e broshurave informative,” thotë Uka. “Unë tashmë jam takuar me ministrin e shëndetësisë, i cili na dha mbështetje të madhe.” Nga projekti i Ukës deri në muajin prill pritet të përfitojnë rreth njëqind persona.

Uka tashmë ka pranuar ndihmë dhe donacione nga Londra (prej nga edhe më parë është dërguar një donacion i qeseve), Luksemburgu dhe Shtetet e Bashkuara për shoqatën e saj. E gjithë puna e saj e deritashme ka qenë tërësisht vullnetare.

Programi pesëvjeçar i USAID-it Lidershipi Transformues – Bursat dhe Partneritetet, i cili filloi në vitin 2014, ka për qëllim të zhvillojë një kuadër liderësh të cilët do t’u prijnë ndryshimeve në fushat prioritare ekonomike, politike dhe shoqërore në Kosovë.              

LINKS

Follow @USAIDKosovo, on Facebook, on YouTube