Që nga themelimi i tij në vitin 2000, Instituti Gjyqësor i Kosovës (IGjK) është shndërruar në një hallkë kyçe e arsimimit të vazhdueshëm ligjor, duke ofruar trajnime të rregullta për gjyqtarë, prokurorë dhe profesionistë të tjerë ligjorë. Roli i këtij institucioni ka marrë më tepër rëndësi në vitin 2013, gjatë ristrukturimit të gjykatave dhe prokurorive të vendit. Ndonëse detyrat e kësaj organizate janë zgjeruar gradualisht, stafi i IGjK-së ka vazhduar të përdorë programe kompjuterike të vjetëruara për mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave, gjë që e ka zhytur stafin në dokumente dhe pamundësi për të përmbushur kërkesat për raportim.
Në shtator të vitit 2013, me ndihmën e USAID-it, IGjK-ja e ka krijuar një bazë të re të të dhëenave me shumë përdprime, e cila i ka sistemuar procedurat e mëparshme voluminoze të regjistrimit të të dhënave, duke ua mundësuar pjesëtarëve të stafit që të përqendrohen në vënien e të dhënave në përdorim. Krahas kësaj, janë krijuar masa të shtuara për sigurinë e të dhënave për ta siguruar paprekshmërinë e sistemit. Ky sistem – në dispozicion në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze – lë hapësirë edhe për zgjerim, për ta shmangur mangësinë e të dhënave në të ardhmen.
“Meqë të dhënat i regjistronim dhe mblidhnim në mënyrë manuale, më duheshin deri në tri ditë për ta nxjerrë një raport,” tha Blerta Hajra, Zyrtare për Statistika dhe Verifikim në IGjK. “Baza e re e të dhënave është më e lehtë për t’u përdorur. Por, çfarë është më e rëndësishmja, mund të nxjerr raporte të sakta për shumë më pak kohë, çfarë do të thotë se mund të kryej më shumë punë brenda një dite të punës.”
Si rezultat , IGjK-ja tani është në gjendje të nxjerrë raporte të sakta pothuajse atypëraty për shumë funksione të këtij instituti – duke nisur nga numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të trajnuar dhe llojet e programeve të trajnimit në të cilat ata kanë marrë pjesë e deri te statistikat për veprimtaritë e brendshme që mund të përdoren për t’i mbarështuar procedurat administrative. Raportet luajnë një rol kyç në azhurnimin e organizatave ndërkombëtare për efektivitetin e sistemit gjyqësor të Kosovës – si pjesë kyçe e ndihmës që i ofrohet Kosovës për ta çuar më tej synimin e saj për integrim evropian.
Përmes iniciativës për Sundimin Efektiv të Ligjit, që ka filluar në mars të vitit 2011 dhe do të mbarojë në mars të vitit 2015, USAID-i po angazhohet që ta fuqizojë sundimin e ligjit në Kosovë duke nxitur pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të saj të drejtësisë dhe duke e shtuar, në ndërkohë, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë të vendit përmes arsimimit dhe transparencës.
Comment
Make a general inquiry or suggest an improvement.