Ndërtimet pa leje në Kosovë drejt legalizimit

Ndërtimet pa leje në Kosovë drejt legalizimit
Gazmend Zeca, pronar i një dyqani në Shtime shpreson të zgjerojë biznesin dhe objekti i legalizuar mund të përdoret si kolateral.
USAID Partneriteti për Zhvillim
Regjistrimi është hapi i parë në sigurimin e të drejtave pronësore
“Mendojmë të zgjerojmë biznesin, por për të bërë këtë na nevojitet kredi nga banka. Ndërtesa e legalizuar mund të përdoret si kolateral për hipotekë për të na ndihmuar në marrjen e mjeteve të nevojshme financiare”

Korrik 2016 - Përderisa ndërtimi i hovshëm pas luftës në Kosovë ndihmoi në ngritjen e urbanizimit, gjithashtu ka rezultuar me shumë ndërtesa të bëra pa leje. Kjo ka komprometuar tregun e pronave dhe ka ndikuar në posedim të pasigurt të pronës sepse ndërtesat pa leje nuk mund të regjistrohen në kadastër ose në mënyrë të ligjshme të transferohen, shfrytëzohen ose të përdoren si kolateral.

Për të ndihmuar në lirimin e këtij “kapitali të vdekur” dhe për të promovuar rritjen ekonomike me krijimin e tregut vibrant të pronave, USAID-i ka mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në zbatimin e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Gjatë një periudhe prej 10 muajve të vitit 2015, zyrtarë nga 32 komuna dhe nga qeveria qendrore si dhe qytetarët kanë identifikuar dhe regjistruar gati 353.000 ndërtime që ishin ndërtuar pa leje. Përgjatë këtij procesi, USAID-i ka ofruar mbështetje për të identifikuar resurset e nevojshme, për të krijuar kornizën ligjore, për të trajnuar zyrtarët qeveritar dhe për të zhvilluar një fushatë të gjerë të komunikimit me publikun.

Njëri nga projektet përfshinte krijimin e një zgjidhjeje teknike për listimin e objekteve pa leje. USAID-i ndihmoi MMPH-në në sigurimin e resurseve nga donatorët tjerë për krijimin e Regjistrit të Ndërtimeve pa Leje, sistem informativ gjeografik (GIS) i bazuar në rrjet i cili mundëson përpilimin dhe hartimin më të saktë të të dhënave. Për përdorimin e këtij sistemi, USAID në partneritet me MMPH-në ka trajnuar 62 zyrtarë nga 27 komuna.

“Në nivel profesional, jam shumë e kënaqur që pata mundësinë të marr pjesë në trajnim, në të cilin kam fituar shkathtësitë për të përdorur programin QGIS, i cili po e lehtëson punën time shumë”, ka thënë Maja Antić, zyrtare për kadastër në Komunën  e Ranillugut.

Zyrtarët komunal kanë përdorur softuerin për të futur të dhënat për 353.000 objekte pa leje pas fushatës së madhe të komunikimit me publikun dhe Ditës së Legalizimit e cila u mbajt më 12 janar 2015, me ç’rast komunat kishin organizuar evenimente në sheshet e tyre kryesore për t’u ofruar qytetarëve material edukues për legalizimin. Këto ngjarje u ofruan qytetarëve mundësinë unike për t’u informuar dhe për të dorëzuar formularët e regjistrimit si hap i parë në drejtim të legalizimit të ndërtesave të tyre pa leje.

Me qëllim të informimit paraprak të sa më shumë qytetarëve për Ditën e Legalizimit, MMPH shpërndau informata te 82.000 zyrtarë qeveritar dhe kontaktoi me agjenci të ndryshme, OJQ, organizata biznesi dhe grupe të grave për të ndihmuar në shpërndarjen informatës. Gjithashtu, komunat kanë shpërndarë materialet nëpër shtëpi përmes nxënësve dhe përmes faturave të rrymës, si dhe kanë mbajtur takime publike dhe kanë organizuar vizita informuese nëpër fshatra.

Si rezultat i këtyre aktiviteteve, regjistrimi i ndërtesave pa leje morri hov pas Ditës së Legalizimit, ku komunat raportonin deri në 1.000 qytetarë në ditë që kërkonin regjistrim.

“Jam shumë i kënaqur që po e shoh përkushtimin e qeverisë që të na mbështesë në këtë proces”, tha Xhemajl Selman Lala, një nga qytetarët e parë që kishte plotësuar formularin e regjistrimit në Ditën e Legalizimit.

“Po mendojmë të zgjerojmë biznesin, por për të bërë këtë na nevojitet kredi nga banka. Ndërtesa e legalizuar mund të përdoret si kolateral për hipotekë për të na ndihmuar në marrjen e mjeteve të nevojshme financiare”, thotë Gazmend Zeqa, pronar i një biznesi të vogël që punëson 10 persona. 

USAID-i, përmes programit Partneritetet për Zhvillim, po ndihmon zyrtarët qeveritar, aplikuesit dhe profesionistët që në mënyrë të duhur të trajtojnë rastet dhe të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave ligjore. Programi katërvjeçar, i cili ka filluar në vitin 2014, ka për synim përmirësimin e mëtutjeshëm të sektorit privat në Kosovë për të shtuar mundësitë për punësim. Programi punon në partneritet me qeverinë dhe partnerët tjerë për të mbështetur vizionin e Kosovës për rritje ekonomike duke fuqizuar institucionet e saj.

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube