Rritja e eksportit të mjedrës shton vendet e punës dhe të ardhurat në Kosovë

Sektori i mjedrrave në Kosovë po rritet shpejt duke shtuar punë dhe eksport
Fryti i vogël dhe i ndjeshëm i mjedrave të ngrira për eksport dëshmon të jetë shumë fitimprurës në Kosovë
Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale
Varietetet e shumta, kultivimi dhe marketingu më i mirë bëjnë që shitjet e frutave të rriten
““Do t'i rekomandoja çdokujt që të kultivojë mjedrat. Kjo është një kulturë e pastër dhe fitimi është i madh,” thotë Myzafere Bryma, fermere e mjedrës e cila gjithashtu prodhon reçelin e saj.”

Nëntor 2015 – Kultivimi i mjedrës është një biznes fitimprurës dhe që po merr hov në Kosovë. Ky është një lajm shumë i mirë në një vend që ka papunësinë më të lartë dhe një nga normat më të ulëta të eksporteve në Evropë.

AgimVeliu, kryetari i Komunës së Podujevës vuri në dukje se disa vite më parë studimet shkencore treguan se toka dhe klima në komunën e tij do të ishin ideale për kultivimin e mjedrave. Duke qenë se USAID po kërkonte ndërtimin e partneriteteve publike/private për të përmirësuar të ardhurat bujqësore, ai fuqishëm e dha mbështetjen e komunës së tij prapa kësaj nisme.

Përmes një marrëveshje për ndarjen e kostos me komunën, USAID-i siguroi 28 fermerë me 160,000 fidane të mjedrës në pranverën e vitit 2014, ndërsa komuna u dha këtyre fermerëve pajisjet për ujitje. Për të mbështetur kultivuesit vendor të mjedrës, USAID-i ka ndihmuar në themelimin e një shoqate të mjedrës dhe ka lehtësuar shitjet për fermerët, duke siguruar lidhjet tregtare me blerësit evropianë. Si rezultat, shumica dërrmuese e mjedrave të prodhuara në komunë këtë vit janë eksportuar.

Afërdita Murati, fermere në Podujevë, ka jetuar dhe punuar me familjen e saj në Kroaci duke bërë punë sezonale me pemë dhe perime të ndryshme. Më herët, ata jetonin me aq sa kishin. Ata janë krenarë që janë kthyer në Kosovë dhe, pas vetëm një viti të kultivimit të mjedrave në tokën e tyre, kanë në plan që vitin e ardhshëm të rrisin sipërfaqen të cilën po e kultivojnë. Fëmijët e saj janë duke studiuar financat dhe po ndihmojnë biznesin familjar për të shfrytëzuar sa më mirë tokën e tyre pjellore. Planet për të ardhmen përfshijnë punësimin e sa më shumë grave dhe studentëve që është e mundur për të ndihmuar edhe në përmirësimin e të ardhurave të tyre.

Do t'i rekomandoja çdokujt që të kultivojë mjedrat. Kjo është një kulturë e pastër dhe fitimi është i madh,” thotë Myzafere Bryma, fermere e mjedrës e cila gjithashtu prodhon reçelin e saj.

Disa vjet më parë, mjedrat ishin një kulturë pak e përhapur në Kosovë, që kultivoheshin vetëm në sasi të vogla për konsum të brendshëm dhe rrallë tregtoheshin. USAID-i përmes programit Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale është i përqëndruar në kulturat me mundësi më të mëdha ekonomike.

USAID-i ka futur varietete të reja të mjedrave, duke e zgjatur në masë të madhe sezonin e rritjes, së bashku me mënyrat e reja të kultivimit, paketimit dhe marketingut të tyre. Këto ndërhyrje janë duke sjellur rritje dramatike në cilësinë dhe sasinë e mjedrave, rendimentin për bimë, numrin e punëtorëve të nevojshëm që kujdesen për bimët—dhe të ardhurat si për punëtorët sezonalë ashtu edhe për pronarët e fermave.

Rreth 400 hektar mjedra janë aktualisht duke u kultivuar në rajone të ndryshme në tërë Kosovën. Ndihma e USAID-it për 500 prodhuesit e mjedrës ka rritur ndjeshëm rendimentin për hektar, dhe shitjet e përgjithshme pothuajse janë trefishuar nga viti i kaluar. Prej një hektari të mjedrave, një fermer këtë vit mund të pres rreth 11,950 $. Rreth 1500 punëtorë sezonalë ishin të punësuar këtë vit, duke ndihmuar në prodhimin e 1100 ton të mjedrave në Kosovë, 98 përqind e të cilave u eksportuan jashtë vendit.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vlerësoi rezultatet ekonomike dhe potencialin e vazhdueshëm të mjedrave në ngjarjen e këtij viti të Promovimit të Ditës së Mjedrës në Podujevë.

Alban dhe Albana Hasani, vëlla e motër, në mesin e pesë punëtorëve të fermës familjare të mjedrës që është pronë e babait të tyre, u shprehën se ky vit ka qenë shumë më i mirë se sa viti i mëparshëm. Edhe pse ka në plan të bëhet mësuese, Albana synon të mbetet e përfshirë disi në kultivimin e mjedrave—dhe Albani ka zgjedhur bujqësinë si profesion të tij. Familja e tyre më parë kanë kultivuar drithëra, por tani ata kanë për qëllim të zgjerojnë fermën e tyre të mjedrave dhe të përpunojnë frutat për të shtuar të ardhurat.

Komuna e Podujevës planifikon të dedikoj rreth 108, 588 $ në buxhetin komunal të vitit të ardhshëm për të zgjeruar më tej prodhimin e mjedrave. Edhe komunat e tjera kanë ndërmend të vazhdojnë partneritetin e tyre me USAID-in dhe fermerët e mjedrës, për të zgjeruar edhe më tej sektorin dhe për të siguruar më shumë vende pune për popullin e Kosovës.

Programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale, i cili ka filluar në prill të vitit 2015, synon të zhvilloj një sektor më konkurrues bujqësor në Kosovë përmes ndihmës teknike dhe granteve për fermerët, ndërmarrjet dhe organizatat e tjera të zinxhirëve të synuar të vlerës.

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube