Trangujt e vegjël u bënë punë e madhe për fermerët e Kosovës

Importi i lëshoi vendin prodhimit të rritur vendor
Selvete Fetahu tregon një pjesë të vogël nga shtatë ton kornishonë që ajo bashkë me familje prodhoi këtë vit në fermën e tyre në verilindje të Kosovës. Shitja shkoi shumë mirë.
USAID Mundësite e Reja për Bujqësi
Importi i lëshoi vendin prodhimit të rritur vendor
"Nuk patëm kurrfarë vështirësi me shitjen e kornishonëve. Eshtë një kulturë shumë e mirë për t’u rritur.”

Jan. 2015—Fermerët kosovar të trangujve të vegjël të tipit kornishon nuk janë më në zgripc, duke i falënderuar ndihmës së USAID-it e cila u mundësoi rritjen dramatike të prodhimit të kësaj kulture mjaft të kërkuar, dhe atë në mënyrë të qëndrueshme dhe fitimprurëse.  

Kosova, sikurse edhe shumë vende tjera europiane, ka një oreks të madh për kornishonë – fruta ende të pazhvilluar të bimës së trangullit. Si prodhuesit e vegjël shtëpiak ashtu edhe përpunuesit industrial bëjnë konzervimin e trangujve të freskët duke përgatitur turshi në verën e vonë dhe vjeshtën e hershme. Këto turshi janë pjesë e rëndësishme e shujtave tradicionale dimërore. 

Për vite të tëra, fermerët në Kosovë nuk prodhonin sasi të mjaftueshme të këtyre trangujve për të përmbushur kërkesat vendore. Tani, falë përkrahjes së USAID, prodhimi vendor vjetor i kornishonëve ka arritur në 2000 ton metrik, duke zëvendësuar importin.

USAID-i, përmes projektit të tij Mundësitë e Reja për Bujqësi  (NOA), është fokusuar në sjelljen e varieteteve dhe teknikave të reja tek fermerët e kornishonëve në Kosovë, shumë nga të cilët janë gra dhe pjestarë të minoriteteve.  

Përmirësimet e bëra rishtazi në prodhimin e këtyre trangujve të vegjël përfshijnë rritjen e fidaneve në enë të mbushura me substrate cilësore si dhe përdorimin e sistemit të ujitjes pikë-pikë, mbulesës plastike dhe plehërimit të shënjestruar. Fermerët gjithashtu kanë filluar të përdorin sistemet mbështetëse spalier për të rritur bimën e trangullit, gjë e cila e bën atë më të ekspozuar ndaj ajrit dhe rrezeve të diellit, duke favorizuar zhvillimin, penguar dëmtuesit dhe lehtësuar vjeljen tri herë në javë gjatë sezonit.  

Në vitin 2014, USAID-i ndihmoi drejtpërdrejtë 22 fermerë të kornishonëve, 15 nga të cilët ishin gra. Përkundër shirave të shumta gjatë sezonit 90-ditësh të rritjes, fermerët patën rendimente të mira në sipërfaqet e tyre të hapura prej 0.2 hektarë.  

Selvete Fetahut i’u desht t’i kapërcejë dyshimet e burrit dhe bijëve të saj në mënyrë që ta bindë familjen për të mbjellur trangujt kornishon për hetrë të parë këtë vit. Parcela e tyre në afërsi të Podujevës, në Kosovën verilindore, dha 7 ton tranguj. Ky rendiment i mundësoi familjes realizimin e fitimit neto prej 5.600 euro, të cilat ata i përdorën për të kthyer një kredi bujqësore si dhe për të marrë me qëra sipërfaqe shtesë të tokës me qëllim që të mbjellin edhe më shumë kornishonë vitin e ardhshëm.      

“Nuk patëm kurrfarë vështirësi me shitjen e kornishonëve,” thotë Fetahu. “Eshtë një kulturë shumë e mirë për t’u rritur.”

Fermerët si Fetahu janë të etur për të mësuar dhe zbatuar mësimet në praktikë gjatë asistencës së vazhdueshme teknike. “Ne nuk patëm asnjë problem gjatë tërë këtij procesi sepse ndoqëm këshillat teknike të ekspertëve të USAID-it të cilët na udhëzuan gjatë gjithë kohës deri në fund.”  

Për të përhapur më tej ndryshimet inovative në prodhimtarinë e trangujve kornishonë, USAID-i ka organizuar ditët fushore për fermerët e interesuar. Një takim i tillë i të mësuarit nga njëri-tjetri i cili u mbajt rishtazi në fshatin e Fetahut mblodhi dhjetëra fermerë.   

Projekti katërvjeçar i USAID-it Mundësitë e Reja për Bujqësi punon në kuadër të sektorit të bujqësisë në Kosovë nga janari i vitit 2011 për të krijuar lidhje të reja të tregut, rritur dhe diversifikuar produktet bujqësore, përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e ushqimit si dhe për të siguruar qasje sa më të lehtë në kredi sa më të përballueshme.    

LINKS

Follow @USAIDKosovo. on Facebook, on YouTube